Hoxha në tur lobimi për liberalizimin e vizave
Në prag të publikimit të raportit të Komisionit të BE-së për liberalizimin e vizave, ministrja e Kosovës për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, ishte për një vizitë lobuese në Berlin.
Ajo ishte për një vizitë pune në Gjermani për të sensibilizuar për liberalizimin e vizave.
Ajo u takua aty me homologun e saj, ministrin e shtetit për çështjet e Europës, Michael Roth, kryetarin e komisionit parlamentar për Bashkim Europian, Gunther Krichbaum dhe sekretarin parlamentar të shtetit pranë ministrisë së punëve të brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer.
Në këto takime Hoxha ka kërkuar njohjen e përpjekjeve të Kosovës për të përmbushur kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave.
“Është fatkeqësi që Kosova ende po vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar. Kërkojmë që progresi i bërë të njihet dhe që të ketë një vendimmarrje të shpejtë në mënyrë që qytetarët tanë të mos mbesin peng i vendimeve politike”, ka thënë ministrja Hoxha për “Deutsche Welle”.
Hoxha ka shtuar se pret që Komisioni i Bashkimit Europian të dalë së shpejti me një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, tani që kushti kryesor që kishte mbetur, çështja e demarkacionit me Malin e Zi u plotësua.
“Shpresojmë dhe llogarisim edhe në përkrahjen e shteteve anëtare veç e veç në mënyrë që procesi vendimmarrës politik të përfundojë sa më shpejt dhe qytetarët të shijojnë lirinë e vizave”, ka deklaruar Hoxha më tej, e cila për të njëjtën arsye kishte qenë para dy javësh edhe në Paris.
Me mision të ngjashëm si ai i ministres së Europës, javën e kaluar ishin në Gjermani dhe Francë edhe disa deputetë të partive të opozitës dhe pozitës nga Kosova, të cilët po ashtu në diskutimet që patën me kolegë të tyre në Bundestag dhe në një tryezë të rrumbullakët në fondacionin Konrad-Adenauer kërkuan mbështetje për liberalizimin e regjimit të vizave.