Hoxha nënshkruan marrëveshje 48 milionë euro me Komisionin Evropian
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, bashkë me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, në mjediset e Komisionit Evropian në Bruksel, ka nënshkruar të premten marrëveshjen financiare IPA 2017.
Kjo marrëveshje, pjesa e parë, ka vlerë prej 49.4 milionë euro, ku nga kjo vlerë 48 milionë euro do të financohen nga Bashkimi Evropian, kurse 1.4 milion euro, janë bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës.
Me këtë marrëveshje, Kosova do të përfitojë asistencë financiare të cilën do ta përdorë për avancimin e demokracisë dhe qeverisjen, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, projektet për klimën dhe energjinë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, bujqësisë dhe zhvillimit rural. Po ashtu, këto fonde do të përdoren për avancimin e arsimit, punësimit dhe politikave sociale.
Kosova tash e sa vite është përfituese e fondeve të IPA-s dhe neve na mbetet të shfrytëzojmë këtë asistencë për implementimin e reformave dhe të gjitha projektet duhet të rezultojnë me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Në përputhje me dinamikat nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në rrugën e saj drejt BE-së, Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me të gjithë dikasteret shtetërore, do të rrisë përkushtimin e saj në mbarëvajtjen e kësaj asistence financiare, në mënyrë që efektet e kësaj asistence të ndihen te secili qytetar i Kosovës.
/Epoka e re/