Hoxha: Ngritja e kapaciteteve, prioritet yni i përbashkët me BE-në
Në takimin e organizuar për bursistët përfitues të Young Cell Scheme për këtë vit, ku mori pjesë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, rektori i UP-së Marjan Demaj, përfaqësues të institucioneve dhe bursistë të projektit, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e vlerësoi rëndësinë e projektit si ndër më të vlershmit në Kosovë.
“Ngritja e kapaciteteve për shërbimin civil është një prej parakushteve esenciale për realizimin e obligimeve tona në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit, reformës së administratës publike dhe të gjitha reformave të tjera të nevojshme për procesin e integrimit evropian”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se deri më tash 322 studentë nga Kosova janë dërguar për studime jashtë vendit.
Ministrja Hoxha ka thënë se kemi 50 studentë të cilët janë dërguar për studime dhe të cilët priten të kthehen brenda vitit.
Ajo ka bërë me dije se këtë vit do të dërgohen 40 studentë.
“Ne kemi bashkëfinancuar dy raundet e fundit me vlerë 1 milion euro, ndërsa projekti si i tillë do të vazhdojë edhe në vitet pasuese të financohet nga BE-ja dhe bashkëfinancohet nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ministrja Hoxha.
/Epoka e re/