Hoxha: Pas liberalizimit, synimi ynë është statusi i kandidatit për anëtarësim në BE
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Konferencën e V-të, të Ambasadorëve, të cilën e organizon Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), ka diskutuar për hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.
“Procesi i Integrimit Evropian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm”, theksoi Ministrja Hoxha.
Të gjithë kapitujt e MSA-së, theksoi Hoxha, mund të implementohen duke ndërmarrë reforma të thella në sektorët përkatës.
Prioritetet tona, theksoi ajo tutje, janë qeverisja e mirë, fuqizimi i sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, përmirësuar klimën e investimeve si dhe duke avancuar politikat e punësimit dhe arsimit të lartë. Ajo ofroi bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet për të zbatuar këto prioritete.
“Procesi i liberalizimit të vizave është një domosdoshmëri për qytetarët tanë. Pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian, votimit në Komisionin LIBE tashmë procesi është i qartë dhe nuk duhet të ketë dilema. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tani i mbetet institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare që të kryejnë pjesën e tyre. Vendimmarrja sa më e shpejtë pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë do të ishte sinjali më i mirë se BE dhe shtetet anëtare janë partner i besueshëm dhe kur shtetet tregojnë rezultate edhe pala tjetër e mban fjalën”, tha Hoxha.
Synimi strategjik i Qeverisë, vuri në dukje Ministrja Hoxha, është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020.
“Qeveria është e vetëdijshme për punët që e presin në këtë drejtim, sepse, marrja e mendimit pozitiv për aplikim për statusin e kandidatit do të varet nga shkalla e përgjegjësisë së institucioneve tona në përmbushjen e obligimeve të veta”, theksoi Ministrja Hoxha dhe ftoi institucionet, qytetarët, spektrin politik dhe shoqërinë civile që të punojmë së bashku për përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi integrues.