Hoxha: Presim sinjale të fuqishme për liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin ka diskutuar rreth liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së kritereve që dalin nga ky proces.
Ministrja Hoxha, ka theksuar se të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave janë plotësuar.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se në këtë muaj presin sinjalet e fuqishme për zbatimin në tërësi të këtyre kushteve në mënyrë që të mund të ecë tutje procesi i liberalizimit të vizave.
“Ne jemi të vetëdijshëm se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është i lidhur me afate, andaj, konsiderojmë se edhe pas heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, institucionet vendore nuk do ta ndalin luftimin e këtyre dukurive”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se qytetarët e Kosovës presin që progresi i Kosovës të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, ka ritheksuar se Kosova nuk duhet ta lejojë që korrupsioni të pengojë përparimin e procesit integrues.
Ai ka vënë në dukje se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është padyshim prioritet për BE dhe sidomos kur është fjala për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë, Kosova duhet të vazhdojë të tregoj rezultate.
/Epoka e re/