Hoxha pret mbështetje për vizat nga të gjitha vendet e BE-së
Disa shtete të fuqishme të Bashkimit Europian ndihen të rezervuara ndaj lejimit të kosovarëve për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e tyre.
Çështja e migrimit po bëhet problematikë për të gjithë Europën, por Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha për “Gazetën Express” thotë se këto dyshime të evropianëve nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me migrantët në përgjithësi.
Hoxha ka dhënë detaje edhe rreth takime që ka pasur me zyrtarë në shtetet perëndimore ku ka lobuar për vizat
“Karshi këtij interesi nacional, ka qasje të ndryshme, ngjan të jenë edhe joobjektive”, ka thënë Hoxha.
Ministrja ka treguar se gjatë takimit të saj në Francë, ku u takua me zyrtarë të lartë, përfshirë edhe homologen e saj ministren Loiseau, i ka informuar në lidhje me angazhimin e institucioneve të Kosovës, jo vetëm për përmbushjen e kritereve, por edhe për luftën kundër korrupsionit.
“Gjatë qëndrimit tim në Francë, takimi me zyrtarët më të lartë, duke përfshirë edhe homologen time Ministren Loiseau, me ndikim për liberalizimin e vizave, të cilët i kam informuar në lidhje me angazhimin e institucioneve tona jo vetëm në përmbushjen e kritereve nga udhërrëfyesi, por edhe të agjendës evropiane të reformave duke përfshirë edhe përkushtimin tonë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ministrja Dhurata Hoxha për “Gazetën Express”
Në shtetet e Bashkimit Europian gjatë kësaj jave u bë një debat i madh në lidhje me çështjen e migrimit legal si dhe për mënyrat e kontrollit, gjë që shtyu shtetet më të fuqishme të kenë rezerva ndaj shteteve të caktuara.
Ministrja Hoxha, megjithatë, thotë se këto rezerva nuk janë specifikisht për Kosovën, por ekziston shqetësimi i këtyre shteteve ndaj migrimit në përgjithësi.
“Gjithashtu vlen të theksohet se disa nga shtetet e rajonit që veç kanë liberalizimin e vizave por edhe Gjeorgjia e kanë keqpërdorur këtë lëvizje të lirë, prandaj e shohim këtë situatë apo rezervat që disa nga shtetet mund t’i kenë, por jo në lidhje me Kosovën individualisht, por për shkak të këtij debati që është duke u zhvilluar në BE”, ka thënë ministrja.
Të premten, u publikua një raport nga Grupi Ballkanik, ku u shpjeguan procedurat e mëtejme të mbetura në këtë proces. GP gjithashtu ka rekomanduar lobim për procesin e liberalizimit tek disa vende specifike, siç janë: Franca, Holanda dhe Belgjika.
“Franca, Holanda, Belgjika dhe disa skeptikë të tjerë brenda BE’së duhet të jenë në listën kryesore të lobimit”, thuhej në raportin e publikuar.
E sa i përket Berlinit, ministrja e integrimit Europian, tha për Express se Kosova ka përkrahje të fuqishme nga ky vend.
“Edhe nga Berlini kemi pasur përkrahje të fuqishme, në kontinuitet, sigurisht, përkrahësit tanë, duan të shohin më shumë suksese në zbatimin e rekomandimeve, andaj, nuk e shoh se ka rezerva rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe këtu rezervat janë po ashtu nga migrimi ilegal në përgjithësi”, potencoi Dhurata Hoxha.
Ajo ka thënë se reflektimet individuale dhe dokumente të pafinalizuara apo jozyrtare rreth një çështje të ndjeshme, si liberalizimi, zgjon kureshtje në opinion por edhe shërben si nxitje për angazhim më të madh për realizimin e këtij synimi madhor.
“Jam fort e bindur se çdo diskutues apo promovues i kësaj çështjeje madhore në opinion, e mendon më të mirën për vendin tonë, liberalizimin e vizave dhe përafrimin dhe integrimin me vlerat euro-atlantike”, tha Hoxha.
Ministrja e Integrimit Europian ka thënë se Kosova pret vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian për çështjen e liberalizimit të vizave ditëve të fundit të qershorit.
“Presim vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian në këto ditët e fundit të qershorit, për zbatimin e 95 kritereve nga udhërrëfyesi, ndër të tjera edhe kriterit të fundit të mbetur për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm për çështjen e rasteve të shënjestruara por edhe reforma përcjellëse ligjore që i kontribuon luftimit të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Hoxha.
Megjithatë, ajo tha se edhe pas liberalizimit të vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të ndalet.