Hoxha: Projektet infrastrukturore në shërbim të qytetarëve
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ministri i Financave, Bedri Hamza kanë bashkëkryesuar takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Investime.
Më këtë rast ministrja Hoxha, ka vlerësuar se ky Këshilli është një përpjekje më shumë për të avancuar procesin e integrimit evropian.
“Duke pasur parasysh se investimi në projekte infrastrukturore është qenësor për mirëqenien e qytetarëve tanë, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë intensivisht për t’u përgjigjur ndaj kërkesave që dalin nga Procesi i Berlinit”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se investimet në projekte infrastrukturore nacionale e rajonale do ta shkurtojnë dukshëm rrugën e anëtarësimit në BE dhe rrjedhimisht do të jemi në shërbim të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Ajo ka theksuar se ofrimi i perspektivës evropiane për tërë rajonin e Ballkanit dhe ndërmarrja e hapave konkret për të jetësuar këtë proces, është përgjigja e duhur për të ardhmen e rajonit.
Hoxha ka rikujtuar se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të shtyrë përpara procesin e Integrimit Evropian në vendet e Ballkanit.
“Në Procesin e Berlinit të filluar në gusht të vitit 2014, u riafirmua rëndësia e përmirësimit të ndërlidhjes apo interkonektivitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe BE-së”, është shprehur Hoxha.
Sipas saj, qëllimi parësor i Procesit të Berlinit, ishte krijimi i një liste me projektet kryesore infrastrukturore që do të ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian ka ndarë 1 miliard euro për financimin e projekteve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimorë apo WBIF”, ka theksuar Hoxha.
Ajo ka thënë se duke ulur koston e transportit, sigurimin e furnizimit me energji, krijimin e partneriteteve afatgjata biznesore dhe transferin e teknologjisë, Procesi i Berlinit do të mundësojë lidhjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Gjatë këtij viti, nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Financave, është përditësuar Lista Prioritare e Projekteve për vitin 2018 dhe vitet në vijim. Programi i investimeve infrastrukturore i përbërë nga 63 projekte në fushën e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social, në vlerë totale prej 3.4 miliard euro. Lista Prioritare e Projekteve, është dokument kryesor i Qeverisë për planifikim të investimeve infrastrukturore për dekadat në vijim. Këto projekte kërkojnë bashkëpunim të ngushtë të institucioneve, prandaj kërkohet punë sa më e ngushtë me përfaqësuesit e WBIF duke iu përgjigjur atyre në kërkesa për të dhëna të ndryshme dhe duke iu ikur vonesave të panevojshme karshi Institucioneve Financiare Ndërkombëtare. Këto projekte, do të krijojnë mundësi më të mira për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Hoxha.
Kurse bashkëkryesuesi i Këshillit Kombëtar për Investime, ministri i Financave, Bedri Hamza ka theksuar të arriturat dhe sfidat e këtij Komisioni, duke u fokusuar në rëndësinë e Procesit të Berlinit.
“Projekti i Korridorit 10 të Hekurudhës, rruga Prishtinë-Pejë, Rehabilitimi i kanalit Ibër-Lepenc, Projekti i Ujërave të zeza në shumë qytetet të vendit si dhe një sërë projektesh tjera, përbëjnë vlerë të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit”, ka thënë Hamza.
Ai ka kërkuar dinamizimin e procedurave nga ministritë e linjës, për të arritur efektet sa më të shpejta, ngritjen e cilësisë të jetës së qytetarëve.