Hoxha: Qytetarët do të lëvizin të lirë brenda vitit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka thënë se Kosova është duke punuar shumë në plotësimin e kriterit të dytë për liberalizimin e vizave, që është luftimi i korrupsionit.
“Kriteri i luftës kundër krimit dhe korrupsionit duhet të vazhdojë dhe të jemi të pakompormis, që t’iu mundësojmë qytetarëve lëvizjen e lirë”, ka thënë Hoxha në “Zona e Debatit” në “Klan Kosova”.
Sipas saj, duke u bazuar në eksperiencën e vendeve tjera, pritet që të kalojnë gjashtë muaj nga momenti i vendimit për liberalizimin e vizave, kur pritet të hyjë në fuqi ky vendim.
“Ne duhet të ndërmarrim hapa si qeveri që të përshpejtojmë procesin që të kemi sa më shpejt rezultate dhe të tregojmë që jemi të përkushtuar në luftën kundër krimit të korrupsionit”, ka thënë ajo.
Hoxha ka theksuar se i gjithë ky proces nuk varet më nga Kosova, por që duhet të ipen argumente shtesë në mënyrë që të ketë vendim sa më të shpejt.
“Brenda vitit qytetarët tanë do të arrijnë të lëvizin të lirë pasi plani jonë është të bëjmë një lobim shumë aktiv”, ka shtuar ajo.