Hoxha: Sivjet bëhemi me sistem të ri të raportimit dhe monitorimit të donacioneve
Në takimin e Forumit të nivelit të lartë për koordinimin e donacioneve të jashtme, ku kanë marrë pjesë kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadorë dhe donatorë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka potencuar se koordinimi i donacioneve të jashtme duhet të shndërrohet në pjesë përbërëse të planifikimit të politikave qeveritare, duke forcuar lidhjen në mes të këtyre proceseve.
Hoxha ceku se gjatë këtij viti synohet përmirësim i ndjeshëm i planifikimit të brendshëm dhe përmirësimin në zbatimin e projekteve.
“Ne tashmë kemi bërë hapa për të përmirësuar procesin e koordinimit të donacioneve të jashtme, përmes ngritjes së sistemit të monitorimit dhe raportimit. Këtë sistem e kemi dizajnuar me ndihmën e projektit të financuar nga BE-ja ‘Project Preparation Facility’”, ka thënë Hoxha, duke prezantuar disa nga karakteristikat e sistemit.
Më tutje, Hoxha ka thënë se Kosova përfiton asistencë nga ana e donatorëve të jashtëm, si pjesë e asistencës zhvillimore për vendin.
“Sfida kryesore mbetet niveli i zbatimit të projekteve sipas afateve të planifikuara konform objektivave të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka bërë me dije se e kanë hartuar listën prioritare të projekteve infrastrukturore, duke vebë në dukje se kjo listë është përgjigje ndaj procesit të Berlinit që ka parashtruar ndaj të gjitha vendeve të rajonit.
“Raportimi do të bazohet në zbatim, jo në disbursim. Gjatë këtij viti ne synojmë të kemi një tranzicion të plotë drejt sistemit të ri të monitorimit dhe raportimit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se një gjë e tillë mundëson që Qeveria të ndërhyjë në proces të zbatimit.
Ministrja Hoxha ka bërë me dije se BE-ja vazhdon të jetë donatori kryesor në Kosovë, i pasuar nga Gjermania, ShBA-ja, Zvicra, etj.
“Ndërsa sektori kryesor që ka përfituar nga donatorët është zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, pasuar nga sundimi i ligjit”, është shprehur Hoxha.
/Epoka e re/