Hoxha: Skënderbeu na lidhi përjetësisht me lirinë
Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Skënderbeu ka lartësuar epokën e tij duke i dhënë përjetësi vetes dhe popullit tonë.
Sipas Hoxhës, Skënderbeu na lidhi përjetësisht me lirinë, me kombe e popuj që punojnë dhe jetojnë në lirinë e vet, duke qenë shembull i guximit dhe mençurisë.
Ja postimi i plotë i Dhurata Hoxhës:
Skënderbeu është gurthemeli i vetëdijes dhe qenësisë tonë nacionale. Ai e lartësoi epokën e tij duke i dhënë përjetësi vetes dhe popullit tonë, duke u bërë shembull i përbotshëm se si duhet dhe si çmohet atdheu.
Në këtë 550 vjetor të kujtesës së kalimit të Skënderbeut në amshim, kujtojmë me nderim angazhimin e tij për fuqizimin e pavarësisë dhe orientimin e miqësisë ndaj shteteve perëndimore.
Skënderbeu na lidhi përjetësisht me lirinë, me kombe e popuj që punojnë dhe jetojnë në lirinë e vet, duke qenë shembull i guximit dhe mençurisë. Jeta dhe veprat e heroit tonë kombëtar, na bëjnë përjetësisht krenar.