Hoxha: Synojmë fitore kundër Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’
Arbër Hoxha i Ballkanit është qind për qind i fokusuar në skuadrën e Ballkanit. Ai ka thënë për “Epokën e re” se synon të fitojë tituj me këtë klub e më pas të mendojë për Evropë. E për ndeshjen e radhës kundër Prishtinës paralajmëron fitore.
Futbollisti Arbër Hoxha është një prej lojtarëve kryesorë në skuadrën e Ballkanit në këtë edicion të garave. I kontaktuar të hënën nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Shala ka folur për sukseset e gjertanishme të klubit nga Suhareka.
“Është e vërtetë se po kalojmë nëpër një formë të mirë edhe në pranverë. Në këtë formë dhe te suksesi kemi ardhur si rezultat i punës së madhe të kryesisë së klubit, shtabit teknik e deri te lojtarët që jemi të bashkuar për qëllimin madhor: të arrijmë një sukses historik në këtë edicion garash”, ka thënë Hoxha.
Ballkani ka realizuar dy fitore në dy ndeshjet e para të sezonit pranveror ndaj Drenicës dhe Ferizajt, por testin e parë serioz e ka në fundjavë kundër Prishtinës.
Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Hoxha lidhur me synimet e klubit aktual ndaj ish-klubit ka thënë se në kryeqytet synohet rezultati pozitiv, pse jo edhe fitorja. “Ndeshja e radhës me Prishtinën do të jetë mjaft e fortë duke e marrë parasysh se ata në radhët e veta posedojnë lojtarë cilësorë dhe me provojë. Në këtë ndeshje shkojmë për rezultat pozitiv, pse mos të dalim edhe me tri pikë të plota”, ka thënë Hoxha.
Skuadra nga Suhareka është e suksesshme edhe në garën e Kupës, ku në gjysmëfinale do të takohet me Feronikelin që është fitues i Kupës dhe kampion në fuqi.
“Në gjysmëfinale kundërshtar e kemi një skuadër shumë të fortë siç është Feronikeli, kampion aktual. Tash është herët të mendojmë për ato dy ndeshje, pasi para vetes kemi ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat, por besojmë se do të kualifikohemi në finale dhe më pas ta fitojmë edhe Kupën”, ka shtuar ai.
“Për të qenë realist më duhet të them se nuk jam duke menduar aspak për ofertat personale, pasi në rend të parë është suksesi i Ballkanit, sepse falë tyre gjendem në këtë formë. Jam i fokusuar 100 % këtu për arritjen e objektivave, pastaj do të ulem me klubin dhe t’i shqyrtojmë ofertat të cilat kanë ardhur në adresë të klubit dhe ta bëj zgjedhjen më të mirë”, ka përfunduar Hoxha, i cili është lojtar premtues dhe shihet si e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Ai ishte i ftuar në ndeshjen miqësore që Kosova e zhvilloi në muajin janar kundër Suedisë. Skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi, Ballkani, mban vendin e parë me 40 pikë. Nga nëntëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar 12 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje.
/Veton ZYMBERI/