Hoxha takohet me ambasadorin Sardi, flasin për proceset euroatlantike
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot në takim, ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Kosovës, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e procesit integrues.
Në këtë takim ministrja Hoxha, ka thënë se Kosova ka vullnet dhe durim që t’i përmbush të gjitha obligimet në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Institucionet dhe qytetarët mirëpresin vlerësimin objektiv të angazhimit tonë në procesin integrues, tash në shkurt, duke u bërë pjesë e vlerësimit të planit për zgjerim të BE-së me vendet e rajonit, duke saktësuar afatet dhe detyrat që precizojnë rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës. Ne kemi edhe vullnet, edhe durim që të gjitha obligimet tona t’i përmbushim”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se zbatimi i MSA-së, mbetet prioritet.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ka thënë se e ardhmja e rajonit është brenda integrimeve evropiane, duke qenë me të drejta dhe obligime të njëjta.
“Kosova ka dëshmuar se është e gatshme të përballet me sfida, sigurisht, demarkacioni është çështje kyçe e këtij procesi. Luftimi i korrupsionit, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, janë disa nga prioritetet të cilat duhet të trajtohen dhe të evidentohen me rezultate të dukshme”, ka deklaruar Sardi, duke ofruar mbështetjen e Italisë në këtë proces.