Hoxha: Varësinë e qytetarëve nga Kurti nuk ia kisha dashtë Kosovës

15 dhjetor 2023 | 08:18

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka folur për ndarjen e 100 euro nga qeveria për pensionistët dhe fëmijët.

Ajo e ka kritikuar qeverinë, duke thënë se kjo nuk është mënyra e duhur për t’i ndihmuar qytetarët, por duhet të rriten pagat

“Tani në këtë kohë krize çkado që dikush merr më shumë, ndihet i vlerësuar sepse ia lehtëson jetën, kushdo qoftë ai apo ajo. Por në mënyrën se si kryeministri Kurti ka vendosur t’i trajtojë qytetarët e Kosovës, për mua është për keqardhje sepse çdo ditë e më shumë qytetarët po varen nga disponimi i zotit Kurti, kur e hap thesin e babadimrit apo të atij çudibërësit për të dhënë 100 euro për ndonjë kategori të caktuar. Kjo varësi krijon një rrethanë shoqërore që unë nuk ia kisha dashtë Kosovës. Z. Kurti është akteri që po e thellon këtë varësi. Është mungesa e integritetit personal të familjarit, punëtorit, të një njeriu kreativ që dëshiron të paguhet për punën që e ka bërë me meritë dhe jo me prit shtetin me ia dhënë 100 euro”, tha ajo.

Hoxha ka thënë se kjo nuk është mënyra për t’i ndihmuar njerëzit, ndonëse çmimet janë trefishuar.

Gjithashtu, Hoxha është shprehur se nuk mund të mbushet zbrazëtia materiale e shoqërisë kosovare duke i ndarë nga 100 euro, por ajo bëhet duke i rritur pagat dhe indeksuar ato në varësi nga tregu dhe inflacioni.

Ajo ka folur edhe për paralajmërimet për ikjet masive të qytetarëve nga Kosova pas 1 janarit, kur edhe do të liberalizohen vizat.

Hoxha u shpreh se kjo është shqetësuese dhe se duhet të jetë alarm për të gjithë shoqërinë.

“Qeveria e ka obligim të mendojë sepse ka marrë mandat për këtë punë. Në mund të japin mendime, të kritikojmë por mekanizma për të marrë vendime nuk kemi”, shtoi Hoxha./ATV

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, sulmues…