Hoxha vazhdon lobimin në Bruksel për liberalizimin e vizave
Gjatë qëndrimit në Parlamentin Evropian, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar eurodeputetet Marie Christine Vergiat, Angelika Mlinar, Monica Macovei, si dhe eurodeputetin Asim Ademov, me ç’rast ka cekur të arriturat, sfidat dhe pritjet e Kosovës rreth liberalizimit të vizave.
“Në takime të ndara me eurodeputetë, kam prezantuar angazhimin tonë dhe kam argumentuar se kemi përmbushur të gjitha 95 kushtet e parapara për liberalizimin e vizave. Po ashtu, kam theksuar se përkushtimi ynë për procesin integrues, nuk përfundon me lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka theksuar Hoxha.
Sipas saj, eurodeputetët kanë ndikim të veçantë edhe nëpërmjet grupeve parlamentare që ju takojnë.
Në takime të ndara mikpritësit e ministres Hoxha, eurodeputetja franceze Marie Christine Vergiat, dhe eurodeputetja austriake, Angelika Mlinar, i kanë ofruar mbështetjen e tyre për proceset jetike të Kosovës brenda Parlamentit Evropian.
Kurse në takim me eurodeputetin bullgar, anëtar i Komisionit për të drejtat civile, liri, drejtësi dhe çështjet e brendshme (LIBE) Asim Ademov, ministrja Hoxha ka vënë në dukje të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, duke qenë e sigurt për sinjalin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe eurodeputetja nga Rumania njëherësh anëtare e delegacionit për zbatimin e MSA-së në Shqipëri, Komisionit LIBE, CPDE etj, Monica Macovei, ka shprehur gatishmërinë e saj për përkrahjen e Kosovës për lëvizjen e lirë por edhe procesin integrues.
LIBE është komision i rëndësishëm i Parlamentit Evropian sepse mbulon të drejtat civile, lirinë, drejtësinë dhe çështjet e brendshme.
/Epoka e re/