Hoxha: Veseli s’do të ndalet, PDK-ja nuk është parti e individëve
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ditë më parë mori vendim të shkarkojë personat brenda partisë së tij që kanë aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm. E kjo nismë e tij u përkrahë nga shumë kush. Kishte edhe të atillë që lajmin e morën me skepticizëm.
Por ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se Veselit nuk do të kthehet prapa, pasi sipas saj është vendim unanim i partisë.
Këtë thotë ta ketë bërë për të vendosur një standard të ri, i cili pritet të rikthejë shpresën dhe besimin e qytetarëve kosovarë.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme ne kemi dalur me programin e partisë dhe kryetari Veseli ka dashur që të vejë një standard të ri në politikbërje. Ka ardhur koha që të vëmë standarde që njerëzit me aktakuza të mos jenë në institucione, sepse kanë barrën e përgjegjësinë. Personat që janë në poste publike dhe i shërbejnë qytetarëve duhet të jenë shumë më të përgjegjshëm dhe kryetari Veseli ka dashur dhe nuk do të ndalet, këtë e ka bërë edhe në parti, jo vetëm në postet publike, gjegjësisht ministrat dhe zëvendësministrat. Besoj se është një parim shumë i mirë dhe duhet ta respektojnë edhe të gjitha partitë tjera, sepse më në fund vetëm kështu mundemi ta luftojmë krimin dhe korrupsionin me rezultate”, ka deklaruar Hoxha për “EO”.
E pyetur nëse ky vendim vlen edhe për partnerët e koalicionit, Hoxha ka thënë se standardi i vënë nga Veseli duhet të jetë shembull për të gjitha partitë.
Hoxha tutje ka deklaruar se koalicioni i ardhshëm do të krijohet në bazë të këtij vendimi.
“Kryetari Veseli e ka potencuar se kjo nuk do të jetë kërkesë vetëm për partinë e tij. Kryetari Veseli e ka potencuar qe kërkesa e pastërtisë apo që ta luftojmë krimin dhe korrupsionin dhe personat në poste publike të jenë persona të pastër pa aktakuza, është diçka që do ta kërkojë edhe nga partitë e tjera. E ka theksuar edhe në konferencë për media, që edhe partnerët e koalicionit në të ardhmen kur do që shkojmë në zgjedhje, kjo do të jetë diçka vendimtare se me kënd do të lidhen koalicionet, sepse të gjithë duhet të bëhemi bashkërisht që të punojmë në këtë drejtim”, thotë ajo.
Hoxha thotë se tani e tutje nëpër postet publike do të kenë mundësi të rekrutohen vetëm personat me të kaluar të pastër. Nepotizmi dhe korrupsioni sipas saj më nuk do të kenë vend në institucionet publike.
“Të gjitha reformat që ne që ne jemi duke i bërë, ato reforma lavdërohen, por pastaj me vendime që ne i marri kur kemi njerëz që janë me aktakuza, apo nepotizmi që është një sfidë tjetër që duhet të ballafaqohemi që njerëzit, personat nëpër postet publike, nëpër proceset të rekrutimit të jenë, njerëz që e meritojnë atë post. Pra të mos kemi çështje të cilat pastaj janë ndërhyrje apo njerëzit të cilët nuk e meritojnë atë post të marrin pozitën”.
Vendim i Veselit për largimin e personave me aktakuza ka prekur disa personalitete të cilët kanë edhe peshë politike brenda PDK-së, megjithatë Hoxha thotë se nuk do të ndikojë në vota.
Sipas saj, PDK-ja nuk është e varur nga individ.
“Po edhe ata persona i keni dëgjuar edhe deklarata e tyre, që të gjithë në PDK jemi pajtuar që ka ardhur koha që të vëmë një standard të ri. Ndërsa sa i përket votave, PDK-ja nuk është parti e individit apo individëve. PDK-ja është një tërësi ku të gjithë ne jemi anëtare dhe mundohemi që të bëjmë më të mirën në mënyrë që t’iu përgjigjemi kërkesave të qytetarëve. Kohëve të fundit e kemi parë që qytetarët me të vërtetë kanë filluar të humbin besimin dhe ky vendim i kryetarit Veseli është mu për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Kujtojmë se menjëherë pas vendimit të Veselit, për shkak të aktakuzës, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dha dorëheqje. Gjithashtu u dorëhiq edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, mbi të cilin rëndon akuza për manipulim në rastin “Veteranët”.