Hoxha: VV mori vota duke premtuar ç’kapje të Bordeve, por i rikapi me shpejtësi
Ish-kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në një intervistë për EURO n’7 me Menduh Abazin ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vota duke premtuar ç’kapje të bordeve të ndërmarrjeve, megjithatë thotë se ato janë rikapur me shpejtësi nga Qeveria Kurti.
“Me këtë term LVV ka fituar vota tek qytetarët e Kosovës, për shkak se qytetarët kanë pritur se do të ketë “çkapje” të bordeve, por që nuk kanë prit se do të ketë rikapje të shpejt dhe rapide nga ana e qeverisë Kurti. Ne jemi dëshmitar që sot në bordet e ndërmarrjeve publike janë vendosur ish kandidatë për deputet, ish kandidatë për asamble të LVV-së, të njëjtin edhe mund të jenë të mirë profesionalisht por që janë të emëruar politik, pra ka ndodhur krejtësisht e kundërta e asaj që kanë propaganduar partia në pushtet”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij performanca e ndërmarrjeve publike nuk është aspak e mirë, shumë prej tyre mbijetojnë për shkak të subvencioneve që kjo qeveria ju ka nda atyre e që në total shumë e subvencioneve është afërsisht 60 milion euro.
“Për shtatë vjet sa kam qenë Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës qeveria ka ndarë vetëm 300.000 euro për një projekt kapital dhe asnjëherë nuk ka nda mjete për mbijetesë. Ndërsa nëse flasim sot janë 30 milionë euro që qeveria i ka përfshi në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike – subvencion për ndërmarrjet publike. Pastaj në vitin 2022 në periudhën janar – qershor janë 12.9 milion euro që qeveria iu ka dhënë subvencion ndërmarrjeve publike, pastaj qeveria ka huazuar tek këto ndërmarrje edhe 35.7 milion euro. Në periudhën janar- qershor 2023 rreth 3 milion euro dhe nëse mblidhen të gjitha këto qeveria aktuale i ka mbështet me rreth 60 milion euro ndërmarrjet publike”, ka pohuar Hoxha./Express/