Hoxha: Zgjedhje të parakohshme për t’i vazhduar proceset integruese
Për të shmangur ngecjet në proceset integruese që mund të shfaqen nga situata aktuale politike në të cilën ka hyrë Kosova, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, thotë ministrja në dorëheqje e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.
Në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, Hoxha ka theksuar se është e rëndësishme të mos lejohet një vakum institucional pasi që janë shumë procese të rëndësishme integruese të cilat duhet të vazhdojnë.
“Në situatën në të cilën gjendemi po e shohim se zgjedhjet janë të pashmangshme, është krijuar një situatë ku qytetari duhet ta thotë fjalën e vet dhe ta legjitimojë Qeverinë e re e cila do t’i prijë proceseve në të cilët jemi e që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë. Zgjedhjet janë një proces që edhe vendet tjera kanë kaluar, zgjedhjet e parakohshme ndodhin edhe pse nuk është dashur, por pa marrë parasysh jemi në një situatë ku zgjedhjet janë të pashmangshme dhe unë besoj që sa më shpejtë të mbahen ato do ta eliminojnë apo kufizojnë zvarritjen e reformave”, ka thënë Hoxha.
Marrëveshja e Stabilizim Acocimit (MSA), thekson Hoxha dhe reformat që kërkohen nga kjo marrëveshje duhet të vazhdojnë të zbatohen, pasi që edhe ashtu, nuk ka pasur një dinamikë të duhur.