Hoxhaj, ambasadorëve të BE-së: Njohje e ndërsjellët në fund të dialogut Kosovë-Serbi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot të gjithë ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian ku kanë diskutuar në lidhje me fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Hoxhaj ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që kjo të mos jetë fazë e re, por fazë finale e dialogut.
Ai theksuar se arritja e një marrëveshje obligative ligjore është po aq e rëndësishme sa edhe implementimi i plotë i saj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj, ka deklaruar para ambasadorëve të BE-së se marrëveshja obligative ligjore që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë në përmbyllje të dialogut, për Kosovën ka një emër dhe ajo është njohje e ndërsjellët.
“Biseduam për zhvillimet më të fundit politike, dialogun Kosovë-Serbi dhe agjendën evropiane me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së. Arritja e një marrëveshjeje obligative ligjore është po aq e rëndësishme sa implementimi i plotë i saj, dhe kjo për Kosovën do të thotë njohje e ndërsjellët”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Twitter”.