Hoxhaj dhe Grubi u bëjnë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të marrin pjesë në regjistrimin civil të popullsisë, duke e vlerësuar këtë proces si shumë të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut.
Pas takimit që kanë zhvilluar sot, Hoxhaj dhe Grubi në një konferencë të përbashkët kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në këtë proces.
Hoxhaj ka thënë se ky proces ka të bëjë me të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
“Diskutuam çështje jetike për rajonin dhe për shqiptarët. Temë kryesore e takimit tonë ke që e gjithë diaspora shqiptare nga diaspora nga Ballkani, Shqipëria Mali i Zi do të duhej të jenë në mbështetje që sa më shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut të regjistrohen në procesin e regjistrit civil dhe ka të bëjë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Të marrin pjesë aktive në regjistrim civil shqiptarët që janë me prejardhje nga Maqedonia e Veriut”, ka thënë Hoxhaj.
Edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë është shumë i rëndësishëm ku ka kërkuar ndihmën e Hoxhajt për këtë proces.
“Enver Hoxhaj është mik shumë i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Diskutuam rreth regjistrimit të popullsisë dhe e ftova që të del në ndihmë për arsye se rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Grubi.
Zëvendëskryeministri Grubi gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, do të takojë edhe liderë të tjerë partiakë.