Hoxhaj dhe Reçica vizitojnë fshatrat arbëreshe, shohin traditat dhe zakonet e shqiptarëve
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar edhe nga deputeti, njëherësh udhëheqës i Departamentit të Diasporës nga PDK-ja, Elmi Reçica po qëndrojnë për vizitë në Itali.
Ata kanë vizituar San Benedetto Ullano, ose, Shën Benedhitin, fshatin vital arbëresh, pjesë e hapësirës kulturore arbëreshe në Kalabri.
Hoxhaj përmes një shkrimi në “Facebook” ka bërë me dije se aty kuptuan nga vetë arbëreshët për mënyrën se si e kanë mbrojtur trashëgiminë, etninë dhe kujtesën historike, duke i përcjell gjatë gjashtë shekujve të jetës në Itali, nga gjenerata në gjeneratë, raporton “Epoka e re”.
“Emilia Conforti, studiuese dhe veprimtare arbëreshe, e cila kontribuon duke iu dhënë zë arbëreshëve, na tregoi me shembuj të ndryshëm për mënyrën se si arbëreshët e ruajtën kompaktësinë e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën! Në Shën Benedhiti jetojnë mbi 1 mijë arbëreshë, por ata e shohin veten si pjesë e bashkësisë së madhe të arbëreshëve në gjithë Italinë. Të dhëna të ndryshme flasin se janë rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë në tërë Italinë! Ndoshta edhe më shumë, por nuk ka pasur regjistrim të tyre viteve të fundit, edhe përkundër që ata njihen zyrtarisht si komunitet historik-etnik!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se kur viziton fshatrat arbëreshë, kudo takon identitetin kulturor arbëresh.
“Nga rrugët e shtruara me rrasa guri, muret e gurta të shtëpive përplot terrasa, mbishkrimet arbëreshe duke të të uruar mirëseardhje në hyrje të vendbanimit, busti i Skënderbeut në qendër të tij, emrat e shumë rrugëve e deri te një muze publik, një arkiv, një bibliotekë publike apo private! Kur takon arbëreshët, ata të tregojnë se ballafaqohen me vështirësi në ruajtjen e gjuhës, të traditave kombëtare e shpirtërore në kohën e globalizmit dhe migrimit të popullatës, edhe pse çdo simbol kombëtar, kishë, festë, ndërtesat publike e privaze e deri te festat e vjetra, i japin kuptim identitetit të sotëm!”, thotë Hoxhaj.
Përkundër kësaj, ish-ministrit jashtëm thekson se kudo haset një vetëdije e fortë historike e kombëtare.
“Pavarësisht kë takon, një përpunues të ullirit, një prift të një kisheje, apo bisedon me një pasues të traditës së Rilindjes Kombëtare si profesoresha Emilia Conforti, ky vullnet dhe kjo vetëdije shpërfaqet fuqishëm! Këto veti i pamë edhe sot, kur vizituam vendlindjen e saj dhe të parëve të saj, Shën Benedhitin! Dikur kishte rreth 200 fshatra arbëreshe, por tani kanë mbetur 50 prej tyre ku ruhet kujtesa historike, gjuha arbëreshe, traditat, besimi e zakonet me idealin e madh të shqiptarisë!”, ka shkruar ndër të tjera Hoxhaj.