Hoxhaj: Duhet ta ruajmë miqësinë dhe raportet e mira me aleatët tanë
Në shënimin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-së, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në organizimin e Institutit të historisë “Ali Hadri” nga Prishtina dhe “Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Historike”, në Shkup.
“Ngjarjet historike nuk duhet vetëm t’i kujtojmë si të tilla, por edhe të reflektojmë dhe t’i përdorim për të ecur përpara. Bombardimet e NATO-s shënojnë përmbylljen e një epoke të errët për shqiptarët në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se liria e Kosovës është bërë e mundur falë ngritjes së Amerikës si superfuqi botërore, si dhe të BE-së.
“Prandaj, duhen ruajtur miqësia dhe raportet e mira me aleatët tanë. Tani është koha që përfundimisht të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë, në mënyrë që të mund të fokusohemi në zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si shtet me njohje të plotë dhe i anëtarësuar në OKB”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka shtuar se populli i Kosovës u është mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s që vepruan për ta ndalur gjenocidin.
“Si dhe u jemi falënderues të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trevat që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka pohuar Hoxhaj.