Hoxhaj e Cungu inaugurojnë një pikë turistike
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj së bashku me kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu kanë përuruar sot pikën e vrojtimit, në zonën e quajtur Ana e Malit që ndan Shqipërinë me Malin e Zi, e cila është një atraksion i vërtetë turistik.
Nga kjo pikë e lartë mbidetare shihen pothuajse të gjitha anët e territoreve shqiptare duke përfshirë Bunën, Liqenin e Shkodrës, Ulqinin e Krajkun.
Me këtë rast, Hoxhaj ka deklaruar se ky lloj atraksioni turistik duhet të vizitohet nga çdo shqiptar i cili do të njoh edhe kulturën e të kaluarën tonë historike.
Sipas tij, komuna e Ulqinit dhe kryetari Cungu me këto investime në pjesë të ndryshme të Ulqinit do ta rrisin edhe më shumë potencialin turistik dhe mbi të gjitha po e bën Ulqinin një pikë reference të shqiptarëve.
Kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu ka falënderuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hoxhaj për këtë vizitë dhe ndihmën e shtetit të Kosovës për shqiptarët në Mal të Zi.
Ai ka thënë se me të tilla investime në pika të veçanta do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Hoxhaj gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Podgoricë ku është takuar me ministrin e jashtëm, Dermanovic dhe sot po qëndron në Ulqin.