Hoxhaj: E pakuptueshme dhe antidemokratike që drafti i Asociacionit mbahet i fshehur nga publiku
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se është e pakuptueshme dhe antidemokratike që drafti i Asociacionit, të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, mbahet i fshehur dhe nuk i tregohet opinionit publik.
Hoxhaj ka thënë se e ka parë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe, por nuk ka dashur ta komentojë pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Unë e kam lexuar draftin. Por pa e parë një draft zyrtar që del nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe që thotë kryeministri Kurti ky është drafti që e kam pranuar, nuk ma merr mendja që do të duhej me komentuar tash”,.
“Përtej asaj se çka është në përmbajtje, për mua është shumë me rëndësi zotimi qeveritar. Dhe është e pakuptueshme dhe antidemokratike që ky draft të mbetet më tutje i fshehur dhe të mos i tregohet opinionit publik për një temë e cila është shumë e rëndësishme”, ka thënë Hoxhaj për “Ekonomia Online”.
Draftin besohet se ndërmjetësi Miroslav Lajçak ua ka prezantuar në vizitën e fundit në Prishtinë, kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, si dhe liderëve të partive të tjera kryesore opozitare.
Por, Hoxhaj ka thënë se nuk e ka takuar së fundmi kryetarin Krasniqi. “Unë nuk kam arritur ta shoh zotëri Krasniqin dhe të bisedoj për një temë të tillë”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj nuk është parë të jetë pjesë as e një takim që ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike me Kryesinë e partisë, me deputetët e grupit parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve.