Hoxhaj e quan Kurtin ‘pehlivan’, kërkon nga opozita ta ndihmojë qeverinë rreth dialogut
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën për ecurinë e dialogut, ka thënë se kryeministri Kurti po iu ikë përgjegjësive dhe pyetjeve nga opozita.
“Ajo çfarë tha deri më tani kryeministri Kurti, quhet ‘pehlivan’. Çka boni kryeministri Kurti në përgjigjen e tij, quhet ‘pehlivan’. Z. kryeministër, kur temat janë të mëdha e popujt janë të vegjël atëherë temat e mëdha nuk mbyllen lehtë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka thënë se Kurti nuk ka vizion e as plan për dialogun, duke kërkuar nga opozita që t’i ofrojë Qeverisë platformë për dialogun.
“Nuk keni vizion, as plan e as vullnet për çështjen e dialogut, andaj unë kërkojë nga opozita që në mënyrë vullnetare të sjellim një platformë për dialogun e t’i ndihmojmë qeverisë. Ne e kemi një platformë, e di që një të tillë e kanë edhe LDK-ja dhe AAK-ja, andaj t’i ndihmojmë”, ka thënë Hoxhaj.
Kryeministri Kurti është kritikuar edhe nga partitë e tjera opozitare rreth qasjes së tij me dialogun Kosovë-Serbi.