Hoxhaj: Është koha e fundit për përgjegjësi politike
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se është koha e duhur që liderët e partive politike të arrijnë konsensus për tema nacionale.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë thirrje të gjendet një qasje e përbashkët për dialogun, demarkacionin, ushtrinë dhe për reformën e agjendës evropiane
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, duke pasur parasysh se në zgjedhjet e përgjithshme ka rënë numri i deputetëve të PDK-së në Kuvend, këtë vit kjo parti nuk po e përmbyll kënaqshëm, pasi nuk i drejton as disa komuna. Si erdh kjo rënie e PDK-së?
Hoxhaj: PDK-ja edhe më parë ka pasur situata kur nuk i kishte ditët më të mira. Megjithatë, PDK-ja ka pasur një dekadë me shumë të arritura dhe lirisht mund të thuhet se ka qenë një dekadë e PDK-së. Madje këto ditë po habitem kur po dëgjoj që edhe kundërshtarët tanë politikë po e vlerësojnë punën që e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës. Mendoj se prej vitit 2007, veçanërisht prej vitit 2008 e deri në fund të vitit 2017, PDK-ja ka qenë një konstantë qeverisëse në Kosovë. Ecja e Kosovës është varur shumë edhe prej asaj se sa ka ecur PDK-ja dhe sa ka mundur ta lëvizë vendin përpara. Prandaj, edhe zgjedhjet e qershorit, edhe të nëntorit të vitit 2017 i shoh si një lloj cenimi politik që i kanë ndodhur PDK-së. Pra, rezultati nuk është ai që në e kemi pritur dhe synuar. Natyrisht se ne politikën e matim nga ana e statistikave nëse e kemi fituar këtë apo atë qytet, por fakti se ne kemi garuar me mbi 50 % të kandidatëve të rinj për kryetar të komunave dhe me rreth 70 % të kandidatëve të rinj për asamble komunale, është një tregues i asaj çfarë është PDK-ja në raport me partitë e tjera. Prandaj, PDK-ja ka pasur zhvillime të tilla të ngjashme edhe në të kaluarën, e ju kujtohet fare mirë viti 2013 ku, pasi humbëm disa komuna, në qershor të 2014-s u rikthyem si partia e parë dhe më e madhe në Kosovë. Besoj se në vitin 2018 do ta bëjmë një reformë të thellë, do ta bëjmë një hapje të madhe dhe do të ketë një vullnet të pathyeshëm që ta lëvizim PDK-në përpara, e cila do ta determinojë edhe dhjetëvjetëshin e ardhshëm të Kosovës. Mendoj se pikërisht këtu qëndron fuqia jonë si familje politike.
“Epoka e re”: Deri më sot nuk keni dalë me një qëndrim zyrtar si parti për t’i treguar shkaqet.
Hoxhaj: Gjatë këtyre javëve të fundit kemi biseduar shumë në Partinë Demokratike të Kosovës. Besoj se viti 2018 do të jetë krejtësisht ndryshe për PDK-në. Do të fillojmë ta ndërtojmë partinë njëjtë sikurse e kemi ngritur në vitin 2005, 2006 dhe 2007, me vizionin më të qartë programor e politik, pasi kemi edhe përvojën, dijen e vullnetin si asnjë parti tjetër në Kosovë. Kemi shënuar arritje politike, prandaj një parti politike nuk matet si ndahet në një palë zgjedhje, por në një periudhë më të gjatë kohore dhe në një kontekst të zhvillimit të ngjarjeve. Jemi të vetëdijshëm se si parti politike na ka kushtuar përgjegjësia që kemi pasur për procese të mëdha shtetndërtuese sikurse që kanë qenë përmbyllja e dialogut me Serbinë, përfundimi i mbikëqyrjes civile ndërkombëtare, procesi i njohjes individuale, anëtarësimi në organizata, e shumë të tjera sfida që vetëm PDK-ja i ka marrë mbi supe. Por, në këto zgjedhje besoj se e kemi marrë mesazhin nga qytetarët e Kosovës. Sikurse dihet, në raundin e parë kemi dalë mirë me rezultat, por në raundin e dytë jo aq mirë, pasi në këtë fazë hyjnë në kombinim shumë faktorë e aleanca edhe të panatyrshme politike. Por, mund t’i siguroj qytetarët e Kosovës se PDK-ja do të fokusohet shumë më shumë për ta zhvilluar vendin ekonomikisht dhe ngritur mirëqenien e tyre. Në PDK ka fuqi, ka vullnet dhe shpresë që në vitin 2018 ta hapim partinë. E ftojmë secilin t’i bashkohet këtij rrugëtimi të ri.
“Epoka e re”: Kadri Veseli do të jetë sërish kandidat për kryetar të partisë?
Hoxhaj: Ne si parti e kemi hapur procesin e brendshëm zgjedhor menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Nga janari do të kemi qartësi edhe më të plotë për procesin zgjedhor ku do të kenë të drejtë të garojnë të gjithë. Krahas kësaj, do ta hapim edhe debatin për vizionin që duhet ta ketë PDK-ja. Pra, do të kemi zgjedhje në parti edhe për kryetar, edhe për organe të partisë. Ne qëndrojmë dhe jemi krenarë që në këta 10 vjet kemi qenë forca përcaktuese për të gjitha arritjet e Kosovës. Jam i bindur që kur PDK-ja i ka të gjithë numrat dhe e vetme e mbanë barrën e udhëheqjes së vendit, edhe shpejtësia e zhvillimit të punëve në Kosovë do të jetë ndryshe.
“Epoka e re”: Duke e parë këtë situatë të PDK-së dhe vazhdimin e qëndrimit të saj në pushtet, do të ishte e udhës të qëndronit në opozitë?
Hoxhaj: Në fazën në të cilën jemi duhet t’i përmbyllim temat nacionale që i kemi. Ju po i shihni që partitë politike nuk po marrin përgjegjësi për vendin. Ne jemi të vendosur që karshi asaj ku mund të jetë PDK-ja si parti politike, po ashtu t’i përmbushim edhe disa qëllime e tema të mëdha nacionale. Nuk është këtu problemi të shkohet në opozitë apo të mbetet në pushtet. Tema kyçe është se si e matë një parti politike rolin e vet në raport me shtetin. Ne jemi një parti që ka pasur rol përcaktues në shtetndërtimin e Kosovës dhe duam ta përmbyllim këtë shtetndërtim. Është parë dhe dëshmuar se kemi forcë ta reformojmë vetveten si parti politike edhe duke qenë në pushtet. Prandaj kësisoj e shoh PDK-në në vitet e ardhshme. Por, viti 2018 do të jetë vit i reformës së thellë, i hapjes së madhe dhe i vendosmërisë sonë për t’i shtyrë gjërat përpara.
“Epoka e re”: Qeveria Haradinaj ka mbushur 100 ditë të qeverisjes. Cili është opinioni juaj si zëvendëskryeministër në këtë rast dhe i PDK-së për këtë periudhë të qeverisjes?
Hoxhaj: Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë brenda qeverisë. Ka pasur një koordinim të mirë për temat kyçe në mes të partnerëve të koalicionit. Kemi pasur edhe një kohë të gjatë, para se të formohet qeveria që të diskutohen programi, qëllimet dhe pritjet e kësaj qeverie. Marrë në tërësi, funksionimi ka qenë shumë i mirë dhe kemi pasur rezultate të matshme. Kryeministri dhe qeveria kanë treguar dinamikë duke mbajtur mbi 20 mbledhje e marrë mbi 200 vendime. Por, prej vendimeve që duhet matur 100-ditëshi i kësaj qeverie është ai që ka ndodhur javën e kaluar, nënshkrimi i kontratës me një kompani amerikane që do të investojë në sektorin e energjetikës, i cili është investimi më i madh që do të ketë Kosova, mbase edhe në vitet e ardhshme. Një investim që do të hapë vende të reja pune dhe do të krijojë një pavarësi energjetike për Kosovën dhe rajonin. Kjo marrëveshje e arritur për ndërtimin e termocentralit të ri ka të bëjë edhe me ndryshimet e balancave energjetike në rajon, pasi që për një kohë të gjatë Serbia e ka dominuar tregun, kurse tani është një situatë e favorshme për Kosovën. Një e arritur tjetër e dukshme është nënshkrimi i marrëveshjes për Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të mbi 50 milionë eurove investimeve amerikane për sektorë të ndryshëm në Kosovë. Po ashtu, urgjenca dhe gatishmëria për t’u marrë veçmas me çështjen e demarkacionit, të Shipitullës dhe tema të tjera të karakterit të jashtëm sikurse aprovimi në qeveri për ta aplikuar vitin e ardhshëm në Këshillin e Evropës, janë të tjera të arritura të matshme të kësaj qeverie në 100-ditëshin e parë. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë, veçmas në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Epoka e re”: Kjo qeveri do të mbahet mend për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave si dhe për vendimin për rritjen e pagave për zyrtarët e saj. Ndihet përgjegjëse PDK-ja për rritjen e pagave të qeveritarëve, përderisa Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë dhe një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme?
Hoxhaj: Përtej asaj si duhet komentuar ngritjen e pagave për një kategori të zyrtarëve në qeveri, duhet pasur parasysh diçka tjetër që ka të bëjë me punët që duhen kryer nga qeveria dhe për përmbushjen e pritjeve për të cilat ajo është votuar. Prandaj, jam ithtar i thirrjes në përgjegjësi të qeverisë për secilin premtim që ka dhënë dhe duhet të mbahet përgjegjëse për çdo gjë. Edhe ngritja e pagave, sa ka pasur diskutim brenda kabinetit qeveritar, është për të pasur një lloj nivelizimi me institucionet e tjera publike si Kuvendi dhe Presidenca, pasi një kategori e zyrtarëve politikë në qeveri janë paguar nën nivelin e punëve dhe përgjegjësive që kanë.
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, Kosova edhe në 2017-n u ballafaqua me problemin e demarkacionit. Po ashtu në përbërjen e qeverisë kemi dy qëndrime të kundërta sa i përket versionit aktual të demarkacionit. Kryeministri kundërshton versionin aktual, kurse ju e PDK-ja e mbroni atë. Pse nuk keni arritur si qeveri të keni një qëndrim unik në këtë çështje?
Hoxhaj: Besoj se duke filluar nga muaji janar do të kemi një dinamikë të re sa i përket demarkacionit dhe presim që në javën e tretë apo të katërt të diskutohet për këtë temë në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës. Në pikëpamjen tonë duhet të krijohet një konsensus dhe një momentum i ri, i cili do t’ia mundësojë çdo deputeti që të votojë pro kësaj marrëveshje. Bilanci i suksesit të çdo qeverie, edhe kësaj qeverie, matet edhe me tema të cilat janë të karakterit nacional. Sa i përket demarkacionit si çështje nacionale, duhet të gjejmë një mirëkuptim dhe konsensus përtej dallimeve që kemi si parti politike. Por është koha e fundit që të gjitha subjektet politike, që janë në qeveri e opozitë, që ta votojnë marrëveshjen dhe të shkojmë përpara duke liberalizuar vizat për qytetarët. Tani kemi një situatë të re, relativisht të mirë, ku numri i deputetëve që e votojnë demarkacionin është rritur, si dhe në opinionin publik nuk ka një situatë që ka qenë para dy vjetëve, ku ka pasur protesta e gaz në Kuvend. Edhe komisioni i ri ka treguar se nuk ka ndonjë fakt apo situatë të re. Ajo çfarë duhet është që paritë politike dhe liderët ta gjejnë një konsensus dhe rrugë për të lëvizur përpara. Kjo nuk nënkupton që çdo parti ta mbështesë demarkacionin, por nënkupton si t’i sigurojmë 80 vota për ta aprovuar këtë marrëveshje ndërkombëtare. Sikurse në qeveri që kemi gjetur pika të përbashkëta që ta kalojmë projektligjin dhe raportin, besoj se edhe Kuvendi mund të gjejë formulime gjuhësore dhe modalitete për ta votuar demarkacionin.
“Epoka e re”: A prisni t’i jepni zgjidhje në vitin e ardhshëm e ta marrim liberalizmin?
Hoxhaj: E kam përcjell për vite të tëra procesin e demarkacionit dhe, sikurse kam deklaruar shumë herë, besoj se duhet votuar dhe askush nuk duhet të ketë frikë se po humbasim territor. Prandaj, presim që në janar të krijohet një situatë e re dhe ta zgjidhim këtë çështje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kam frikë se do ta humbim shansin edhe për vitin 2018, edhe për vitin 2019. Prandaj, është momenti i duhur që liderët e partive politike jo vetëm për demarkacionin, por edhe për tema të tjera nacionale të gjejnë një konsensus. Pra, ta gjejmë një qasje të përbashkët edhe për dialogun, edhe për ushtrinë, edhe për reformën e agjendës evropiane. Kushdo që është në pushtet apo në opozitë do t’i ketë këto tema në tavolinë. Është koha e fundit të mos blihet kohë, por të veprohet me pjekuri e përgjegjësi politike. Nëse ka vullnet politik, ka rrugë.