Hoxhaj: Fitoren historike të policisë në Banjskë, diplomacia e vendit e shndërroi në izolim dhe sanksione
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se fitoren historike të Policisë së Kosovës në rastin e Banjskës, diplomacia e vendit e shndërroi në izolim e sanksione.
“Agresioni i Banjskës para një viti ishte fitore e policisë dhe strukturave të sigurisë, por dështim kolosal i diplomacisë, sepse nuk ndodhi ndëshkimi i Serbisë si përgjegjëse e agresionit, por ndodhi e kundërta – izolimi dhe sanksionimi i Kosovës. Kosova mbeti jo vetëm nën sanksione, por edhe u largua nga partneriteti me aleatët perëndimorë, duke ia mundësuar Serbisë një afrim dhe rikthim në Perëndim. Serbia sot është më e përkëdhelur se para sulmit të Banjskës, ndërsa qeveria e Kosovës, që kishte premtuar se nuk do të kishte dialog pa dorëzimin e kryerësve të Banjskës, diskuton sot me Beogradin në Bruksel për kufijtë e komunave të Kosovës dhe për urën e Ibrit”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë “një vit respekt për policinë dhe strukturat e sigurisë, si dhe aleatët që i përkrahën ata e rikujtim për fiaskon diplomatik që po përjeton Kosova”.
“…atë që policia e Kosovës e arriti në terren, si një fitore të mirëfilltë historike, diplomacia e shndërroi në humbje strategjike.”, ka shkruar Hoxhaj.