Hoxhaj: Fitorja e Kurtit nuk ka qenë asgjë tjetër veçse populizëm

20 qershor 2023 | 12:36

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se sikur zgjerimi evropian të ishte një agjendë e mirëfilltë drejt Ballkanit edhe elitat politike në Kosovë, Serbi dhe kudo tjetër do të bënin përpjekje që të bënin një politikë më të matshme, më konkrete dhe të bazuar në rezultate.

Në një debat publik mbi rreziqet e politikës populiste në kontekstin e intolerancës etnike, Hoxhaj ka vlerësuar se fitorja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është asgjë tjetër, veçse populizëm.

“Fitorja e Kurtit nuk ka qenë asgjë tjetër veçse populizëm. E shtroj pyetjen se a është Kosova pas 2 vitesh më e sigurt sesa ka qenë 2019-2021? A ka Kosova në 2023 më shumë aleatë sesa ka pasur në vitin 2021? A ka Kosova në 2023 më shumë njohje, më shumë anëtarësi ndërkombëtare sesa ka pasur më 2019 – 2020? A jetojnë njerëzit më mirë në Kosovë sesa kanë jetuar në atë kohë? Të gjitha këto pyetje e kanë përgjigjen fort negative”, ka thënë Hoxhaj.

Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se pyetja që duhet të shtrohet nga ana e Kosovës është se si të integrohet komuniteti në veri të vendit.

“Si ta përmbyllnim shtetndërtimin në veri të vendit? T’i zbatojmë ato obligime ndërkombëtare që i kemi marrë në vitin 2013, të themelohet Asociacioni, edhe në përputhje me letrën e Mogherinit edhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos lejojmë që situata në veri të vendit t’i shërbejë Kurtit për një fazë të re të populizmit, duke e udhëhequr vendin drejt një paqartësie politike kur ne nuk e dimë se si do të duket fundi i vitit 2023”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se për Kosovën është jetike tejkalimi i “populizmit aktual”.

“Për ne në Kosovë është jetike po ashtu të jemi të vendosur ta tejkalojmë populzimin aktual nëse ne i themi qytetarëve të Kosovës që Kosova më 1999 ka triumfuar mbi historinë dhe Serbinë si okupues, që ne në vitin 2008 kemi triumfuar për herë të dytë me shpalljen e pavarësisë dhe për ne është jetike që të ndërtojmë një marrëdhënie normale me Serbinë drejt njohjes së ndërsjellë”, është shprehur Hoxhaj.

Ai ka thënë se  kryeministri Kurti “po e kërcënon Kosovën brenda dhe jashtë”.

“Kurti po shihet që në kohën e fundit po e kërcënon Kosovën brenda dhe jashtë dhe mendoj që debati kryesor që duhet ta kemi është që a duam të lëvizim në 2023 në një parametër të ri politik apo duam që të jemi në këtë moçal politik ku jemi futur në këto 3-4 vitet e fundit si pasojë e populizmit dhe si pasojë e përdorimit të çdo gjëje çka përdorin populistat për ta bindur opinionin publik që kjo është rruga e vetme se si mund të qeveriset ky vend”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Fenerbahçes është duke punuar në detajet e fundit…