Hoxhaj: Forcimi i sigurisë së brendshme, prioritet i qeverisë

22 janar 2019 | 15:03

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë sot në takimin përmbyllës të projektit të dytë të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike në Kosovë”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian që u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se institucionet e sigurisë, veçmas policia dhe doganat janë prej sukseseve më të mëdha të shtetit të ri të Kosovës.

Ai ka theksuar se sukseset në këtë sektor nuk do të mund të arriheshin pa mbështetjen e shteteve mike që përkrahën ngritjen profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve për luftimin e kriminalitetit, përgatitjen e pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë e deri tek themelimi dhe forcimi i institucioneve përkatëse.

“Jam këtu për të falënderuar në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të qytetarëve secilin shtet veç e veç, si dhe Bashkimin Evropian. Ne asnjëherë nuk do të ndalemi së forcuari kapacitetet për të rritur profesionalizmin në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Ai ka treguar se një nga përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës është forcimi i sigurisë së brendshme.

“Në një botë të ndryshimeve është jetike të mbrohet pavarësia dhe siguria e Kosovës. Për një shtet të ri si ne, është me rëndësi të jetë e qartë se siguria, mbrojtja dhe politika e jashtme nuk duhet të jenë të veçuara nga njëra-tjetra”, është shprehur Hoxhaj, duke shtuar se institucionet e sigurisë sot reflektojnë edhe një të arritur tjetër, atë çfarë është Kosova në vitin 2019, karakterin shumë etnik dhe pjesëmarrjen e madhe të grave pothuajse në të gjitha strukturat, duke përfshirë edhe ato të larta drejtuese e të menaxhmentit.

 /Epoka e re/ 

 

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet emergjentë të ndërmarrjes “Trepça” kanë arritur që të nxjerrin…