Hoxhaj fton qytetarët për bojkotimin e prodhimeve të Serbisë
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se masa mbrojtëse prej 10 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet e importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, fuqizon atë si dhe i mbron prodhimet vendore.
Hoxhaj në një intervistë për “Telegraf-in, ka thënë se vendimi është marrë për të penguar Serbinë që të mos financoj fushata kundër Kosovës në një gjeografi botërore.
Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që sa më shumë t’i bojkotojnë produktet serbe dhe të blejnë mallra të cilat prodhohen në Kosovë.
“Dikur i kemi thënë jo regjimit të Millosheviqit përmes bojkotit, rezistencës civile, luftës së armatosur – sot duam ta bllokojmë ekonominë serbe dhe vendimi është i duhur”, u shpreh ai.
Hoxhaj tutje tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbajë këtë vendim.
“Nëse ata e kanë luksin që të vazhdojnë, edhe ne do të qëndrojmë me vendimin që e kemi marrë si Qeveri e Republikës së Kosovës. Mendoj se vendimi si i tillë, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, por mbi të gjitha i mbron edhe prodhimet vendore”, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.