Hoxhaj: Gërvalla po flet sikur të ishte ministre e Serbisë ose Rusisë, Kurti të distancohet nga deklaratat e saj
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur për deklaratat e ministres së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla lidhur me UÇK-në.
Hoxhaj ka thënë se deklaratat e ministres Gërvalla janë të paprecedentë, dhe se kur flet ministrja e jashtme flet Qeveria e Kosovës.
“Ajo çfarë po bën zonja Gërvalla, e cila në emër të Qeverisë së Kosovës po e godet luftën tonë të drejtë dhe të shenjtë, luftën e UÇK-së është e paprecedente. Kur fol ministri i jashtëm, fol qeveria”, ka thënë Hoxhaj.
Më tutje, ai ka thënë se Gërvalla po flet sikur të ishte ministre e Serbisë ose Rusisë.
“Nëse ky është qëndrimi i qeverisë në raport me të kaluarën tonë historike, me luftën tonë të lavdishme dhe mënyrën sesi zonja Gërvalla çdo ditë po e godet UÇK-në dhe po flet sikur të ishte ministre e jashtme e një shteti kundërshtar të Kosovës, të Serbisë apo Rusisë, është temë serioze dhe ka shkel çdo kufi të mundshëm të komunikimit partiak. Ne presim nga z. Kurti dhe qeveria e tij që të distancohet. Nëse Kurti ka pikëpamje tjetër do të duhej të distancohet”, është shprehur Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur qeveri në Kosovë, e cila ka qenë më shumë anti-UÇK sesa qeveria aktuale.
“Është temë serioze që e dëmton të ardhmen e Kosovës dhe identitetin tonë si popull dhe si komb”, është shprehur Hoxhaj.