Hoxhaj: Gjatë kësaj legjislature e qeverisjeje ka rënë dukshëm besimi i qytetarit në institucione
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, duke folur për shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se dita e sotme përbën një kthesë në politikën e vendit tonë.
“Vendi ynë ndodhet para vendimeve të mëdha dhe ka shumë rëndësi se cila përbërje do ta fitojë besimin e qytetarëve për t’i prirë në etapën e re: atë të hapjes së perspektivave të reja për Kosovën e qytetarët e saj, përfundimin e bisedimeve dhe afrimin e Kosovës drejt BE-së dhe mekanizmave ndërkombëtare”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të kësaj legjislature e qeverisjeje, ka rënë dukshëm besimi i qytetarit në institucione”, ka thënë Hoxhaj.
Shkrimi i plotë i Hoxhajt:
Pavarësisht se mund të duket se shpërbërja e sotme e Kuvendit është vetëm një nga hapat e ndërrimit të legjislaturave, ajo nuk është e tillë. Dita e sotme përbën një kthesë në politikën kosovare. Vendi ynë ndodhet para vendimeve të mëdha dhe ka shumë rëndësi se cila përbërje do ta fitojë besimin e qytetarëve për t’i prirë në etapën e re: atë të hapjes së perspektivave të reja për Kosovën e qytetarët e saj, përfundimin e bisedimeve dhe afrimin e Kosovës drejt BE dhe mekanizmave ndërkombëtare!
Në këtë fazë është e rëndësishme të mos dehemi nga ndjenja e madhështisë për veten por të jemi mirënjohës e falënderues për të gjithë miqtë ndërkombëtarë, për shtetet mike të cilat e ndihmuan zhvillimin e Kosovës deri sot.
Shtetet nuk janë entitete të ndara që funksionojnë si ishuj të veçuar. Shtetet bashkëkzistojnë dhe bashkëpunojnë sepse edhe vendimet e marra në nivel lokal ndikojnë në përparimin e përgjithshëm të shoqërisë njerëzore globalisht!
Dhe ne duhet të veprojmë si njerëz të vetëdijshëm për qenien tonë si pjesë e botës së qytetëruar.
Jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të kësaj legjislature e qeverisjeje, ka rënë dukshëm besimi i qytetarit në institucione. Kjo është ajo që nuk është dashur të na ndodhte si shtet e si shoqëri. Institucionet ekzistojnë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe ta mundësojnë zhvillimin individual e shoqëror në të gjitha aspektet. PDK vazhdon të jetë e përkushtuar të kthejë besimin e qytetarit tek institucionet! Besimin se Kosova ka një të ardhme përpara!
Zgjedhjet do të përcaktojnë jo vetëm besimin e qytetarit por edhe vetëdijesimin tonë dhe përgjegjshmërinë karshi proceseve. Dhe jo rastësisht PDK është e përkushtuar që të marrë përgjegjësinë e plotë për të përmbyllur një nga etapat më sfiduese të Kosovës së pasluftës!
PDK beson në vlerësimin e qytetarit të Kosovës!