Hoxhaj i përgjigjet Mustafës: Është momenti i fundit për LDK-në të këndellet nga gjumi
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër, i është përgjigjur akuzave të liderit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili sot ka kritikuar qasjen e Kadri Veselit në raport me deklaratat që po i bënë për këtë parti rreth mospërfshirjes në dialogun me Serbinë.
Hoxhaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës.
Ai thotë se është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë.
“Asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shkruar Enver Hoxhaj.
/Epoka e re/