Hoxhaj inspekton pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka vizituar pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, Stanqiq-Bellanoc, ku së bashku me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani kanë inspektuar punimet në ndërtimin e pikës doganore në këtë lokacion.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka falënderuar zëvendëskryeministrin Osmani për angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për mbarëvajtjen e këtij projekti.
Zëvendëskryeministri ka thënë se këtë vizitë po e realizojnë në 20-vjetorin e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, krejt kjo me qëllim që t’i jepet kuptim simbolik kësaj pike kufitare që do t’i afrojë këto dy vende.
“Sot është 10 qershori kur ne festojmë paraqitjen e Lidhjes së Prizrenit si një artikulim i kërkesave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Sot është edhe 20-vjetori i miratimit të Rezolutës 1244 dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova prandaj kemi vendosur që kësaj dite simbolike t’ia japim një kuptim të ri me këtë pikë kufitare që do t’i afrojë vendet tona”, është shprehur zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Ai ka paralajmëruar përfundimin e punimeve në këtë pikë në fund të muajit gusht, ndërsa hapjen për qarkullim të qytetarëve vetëm pas pak javësh.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka paralajmëruar se pika të reja kufitare do të ketë edhe me vende tjera fqinje.
/Epoka e re/