Hoxhaj: Jemi të shqetësuar, Kosova nuk ka një kryeministër që është në nivel të detyrës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur të hënën për situatën e fundit në veri.
Ai gjatë një konference për medie në ambientet e Kuvendit të Kosovës ka thënë se PDK-ja është e shqetësuar për të ardhmen e vendit, për integritetin territorial të Kosovës dhe për faktin se nuk po shohin një kryeministër që është në nivel të detyrës se si udhëhiqet vendi.
Hoxhaj duke folur për veriun para gazetarëve ka theksuar se ai është njëri prej politikanëve i cili para se të dalin qëndrimet zyrtare merr vesh se çfarë po diskutohet për Kosovën, raporton “Epoka e re”.
“Do të thotë para se të dalë një deklaratë dhe para se dikush ta japë një qëndrim në raport me rrethanat në Kosovë, unë e di debatin që zhvillohet javën e fundit, dy javët e fundit apo muajin e fundit. Arsyeja pse kam reaguar në raport me qëndrimit që OSBE-ja ta ketë një rol në mbështetje të procesit zgjedhor në Kosovë, ka të bëjë jo vetëm me rolin gjatë procesit zgjedhor por ka të bëjë me situatën që veriu po lëviz, duke shtuar praninë e madhe të KFOR-it, duke shtuar praninë e madhe të organizatave ndërkombëtare dhe duke parë çdo ditë qëndrimet e UNMIK-ut se po lëvizet drejt vendosjes së një protektorati, i cili po funksionon në terren. Kjo situatë është shqetësuese për ne si Parti Demokratike dhe është shqetësuese për mua. Jam prej atyre i cili në 2007 i ka dhënë fund punës së UNMIK-ut në Kosovë, në 2012 i kemi dhënë fund mandatit që ka pasur ICO në mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, dhe për ne është e papranueshme që të ketë situata të tilla në veri të vendit për shkak të tensioneve dhe dhunës që ka ardhur nga Serbia, që të krijohet një situatë e një protektorati të një pranie ndërkombëtare. Pra një situatë e cila do t’i demontonte interesat e Kosovës në planin afatgjatë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti para se të vije në qeveri ka folur për një dialog me serbët e Kosovës dhe tash po shihet se nuk ka politikë sa i takon komunitetit serb në Kosovë, nuk ka politikë në raport me veriun dhe nuk ka as politikë në raport me dialogun.
“Prej asaj se si organizohen dhe menaxhohen zgjedhjet do të varet shumë edhe realiteti i cili do të krijohet në veri të vendit. Shqetësimi im është se kjo çfarë ka ndodhur prej nëntorit të vitit të kaluar nga ana e z. Kurti, i cili para se të vije në qeveri ka folur për një dialog me serbët e Kosovës dhe tash po shihet se nuk ka politikë sa i takon komunitetit serb në Kosovë, nuk ka politikë në raport me veriun dhe nuk ka as politikë në raport me dialogun, i cili është shndërruar në një instrument më tepër për t’i përmbushur interesat e Serbisë në Kosovë sesa t’i përmbush interesat e Kosovës në Evropë”, është shprehur Hoxhaj, duke shtuar se vendimi i Kurtit për targat ka qenë i gabuar, pasi u tërhoqën 2000 veta nga institucionet në veri.
Hoxhaj ka thënë se ka edhe një shqetësim. “Unë kam shqetësimin bazik, nuk e di a ka vërtet marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë pas Ohrit, pas datës 18 mars dhe pas 27 shkurtit apo është sikurse ka qenë më herët”, ka deklaruar Hoxhaj.