Hoxhaj: Kanë ngecur njohjet dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare
04 tetor 2018
| 22:35
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka adresuar kritika ndaj ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, për punën e tij si kryediplomat i vendit.
Hoxhaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “në vitin 2018 Kosova s’kishte politikë të jashtme të mirëfilltë”.
Ndonëse ka thënë se s’po e kritikon Pacollin drejtpërdrejt, Hoxhaj, dikur ministër i Jashtëm, ka vlerësuar se është fakt se “njohjet (e pavarësisë së Kosovës) kanë ngecur”.
“Edhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare kanë ngecur”, është shprehur ai.
Hoxhaj ka thënë se Pacolli nuk i ka koordinuar veprimet e tij siç duhet me presidentin dhe me kryeministrin e vendit.