Hoxhaj kërkon garanci nga ShBA-të dhe BE-ja për zbatimin e marrëveshjes finale me Serbinë
Pas takimeve me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, senatori amerikan Ron Johnson është pritur mbrëmë në darkë pune edhe nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në këtë takim, Hoxhaj dhe Johnson kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, si dhe marrëdhëniet dhe dialogun për normalizim që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Përveç kësaj, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se marrëveshja e arritur duhet të ketë garancë të zbatimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shkëmbim shumë i mirë me senatorin Ron Johnson në lidhje me zhvillimet politike, sfidat dhe perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe procesit të dialogut me Serbinë, proces ky i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka deklaruar Hoxhaj.
/Epoka e re/