Hoxhaj kërkon nga Ukraina ta njohë Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj është duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore me temën: “Përvojat e Ballkanit, mësime për Ukrainën”, e cila po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj ka thënë se Ukraina duhet të mësojë nga përvojat e Ballkanit, meqë ka pasur modele dhe zgjidhje të ndryshme.
Ai ka thënë se Ukraina duhet t’i inkorporojë këto mësime në gjetjen e zgjidhjeve të veçanta, meqë situatat janë të ndryshme dhe të pakrahasueshme me njëra tjetrën.
“Ne jemi krenarë me procesin e shtet-ndërtimit tonë. Jemi shembull në integrimin e komunitetit serb në nivel qendror dhe lokal, duke u dhënë të drejta që nuk krahasohen me asnjë komunitet pakicë në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj është ndalur tek njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Ukrainës e cila ende nuk ka ndodhur.
“Paqja dhe dialogu në Ukrainë janë të rëndësishme edhe për paqen në Ballkan. Kosova është sjellë me qartësi strategjike duke dënuar ngjarjet e marsit të vitit 2014 dhe ka vendosur sanksione kundër Rusisë, duke iu bashkëngjitur aleatëve perëndimor. Përkundër kësaj, Ukraina deri më tani nuk e ka njohur Kosovën, por është fshehur duke hezituar të marrë qëndrim. Njohja e Kosovës nga Ukraina është në interes të të dyja vendeve”, ka deklaruar Hoxhaj.
Në këtë konferencë, Hoxhaj ka folur edhe për dialogun Kosovë -Serbi,duke thënë se për Kosovën ka një qëllim nga ky dialog, dhe ai qëllim është njohja e ndërsjellët.