Hoxhaj: Këtë vit nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe as rrëzim të qeverisë
Zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe as rrëzim të Qeverisë.
“Në vitin 2019 nuk ka as zgjedhje të parakohshme, as rrëzim të qeverisë e as ndryshim të partnerëve në koalicionin qeverisës. Kushdo që ka ide të këtilla dhe sheh ëndrra me sy hapur e ka gabim”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se këtë vit ka vetëm përmbyllje të shtetndërtimit dhe marrëveshje paqeje me Serbinë, si dhe punë e angazhim për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Gjithashtu Hoxhaj ka thënë se në këtë vit do të ketë ecje përpara në procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Ky është qëndrimi i vetëm i PDK-së dhe çdo deklaratë tjetër është qëllimkeqe dhe synon ta dëmtojë mbarëvajtjen e punës së qeverisë dhe proceseve të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Hoxhaj.
/Epoka e re/