Hoxhaj: Koha e fundit që deputetët të votojnë demarkacionin
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Kosova nuk humb territor me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Për këtë çështje ai kërkon konsensus.
“Është koha e fundit që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë marrëveshjen dhe që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Europës”, deklaroi Hoxhaj.
“Është më me rëndësi se si në Kuvend të Kosovës te kemi një votë i cili mbështet një solucion i cili në fund të fundit do të ua mundësoj qytetarëve të Kosovës një të drejtë bazike sikurse që është liria e lëvizjes’, shtoi Hoxhaj për televizionin 21.
Nënkryetari i PDK-së ka thënë se kjo parti vazhdon të jetë pro kësaj marrëveshje.
“Kam shpresë se gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë zhvillime pozitive në këtë drejtim”, tha Hoxhaj.
Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është arritur në Vjenë më 2015.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare, atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, atëherë zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.
Ndërkohë duhet siguruar 80 vota në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, që BE’ja e kishte vënë kusht për lëvizjen e lirë të kosovarëve.