Hoxhaj komenton letrën e Blinkenit: S’ka ardhur rastësisht në fillim të vitit

18 janar 2022 | 18:01

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka komentuar letrën që sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ia ka dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Hoxhaj në emisionin “Frontal” në “T7” ka thënë se mosbesimi në dialog mund të vështirësojë përfundimin e këtij procesi.

“Ajo se çka e vështirëson qasjen e një mundësie të arritjes së një marrëveshje është fakti që nëse Qeveria, presidentja, Kuvendi, shumica në Kuvend nuk ka besim në dialog, nuk i beson fundit të procesit dhe nuk e sheh dialogun si të rëndësishëm, që ne të arrijmë një marrëveshje të njohjes së ndërsjellët, atëherë kjo e vështirëson”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se Kurti nuk po e përfaqëson si duhet diplomacinë kosovare në takimet në Bruksel.

“Prandaj unë kam parë edhe mënyrën se si z. Kurti është paraqitur në disa takime në Bruksel. Mund që dikush mund t’i shoh diku si dinjitoze paraqitjet e tij, janë parë, por unë mendoj që më shumë janë albanalogji sesa diplomaci.  Diplomaci i bie se duhet ta përfaqësoj interesin e shtetit. Kosova e ka jetike që të anëtarësohet në OKB, në një botë që po ndryshon çdo ditë e më shumë dhe në një botë ku SHBA-të janë më të shqetësuar se çfarë po ndodh në Ukrainë sesa në Ballkan”, ka thënë ai.

Sa i përket letrës së sekretarit amerikan Blinken, Hoxhaj ka thënë se e ka parë si një ftesë për një fazë të fundit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Në të njëjtën kohë ShBA-të siç u pa me letrën e Blinken e kanë Kosovën në zemër dhe në mendje dhe është në interes të tyre që kjo temë të mbyllet. Çdo qeveri e përgjithshme duhet ta ketë këtë parasysh, por edhe çdo opozitë e përgjithshme duhet ta ketë parasysh këtë. Jam i sigurt që në 2022 mund të jetë një momentum i ri dhe siç e kam parë letrën e Blinken është një ftesë për një fazë të fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo më shumë do të varet nga ajo se sa është Qeveria e përkushtuar”, ka thënë ai, duke shtuar se viti  2022 mund të paraqesë një momentum të ri në këtë proces.

“Z. Kurti dhe të tjerët e kanë përshëndetur por që ta kuptojnë edhe qytetarët, letra s’ka ardhur rastësisht në fillim të vitit, se nuk është që sekretari i shtetit s’ka çfarë të bëjë edhe të dërgojë letër në Kosovë. Do të thotë koha kur është dërguar letra, përmbajtja e letrës, formulime të qarta se kjo është agjenda e z. Biden, pastaj fokusi i letrës që qëllimi i dialogut duhet të jetë me njohje të ndërsjellët, pastaj lista e temave e bëjnë letrën si një ftesë për një momentum të ri”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë me dije se…