Hoxhaj, komisionit të Bulliqit: Nuk prezantuat diçka të re

04 dhjetor 2017 | 10:15

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Projektligjit i janë bashkuar edhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili pas një pune disa javësh ka konstatuar se Marrëveshja aktuale është e gabuar.

Procedimit të Demarkacionit në Kuvend i ka paraprirë një prezantim nga ana e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror para Qeverisë së Kosovës. Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se Marrëveshja e arritur me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me vijat ekzistuese kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Por, rreth këtyre të gjeturave, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se ato vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

“Kryeministri Haradinaj dhe ne si Qeveri jemi të vendosur që ta shtyjmë këtë takim përpara. Mandatin që keni marrë nga Qeveria ka qenë që të gjendet e vërteta dhe vetëm e vërteta, por sot dëgjova vlerësime të përgjithshme, por jo ndonjë fakt konkret. Kam qenë anëtar i disa qeverive, me këtë temë janë marrë dy Qeveri dhe katër komisione, kjo është Qeveria e tretë dhe ju jeni komisioni i pestë. Dëgjova me vëmendje, ju nuk ishit konkretë, nuk pashë qartë diçka të re. Kur kemi marrë vendim në Qeveri kam thënë që kur temat janë komplekse, është detyrë e politikës t’i thjeshtësojë. Sot kam përshtypjen se e keni komplikuar më shumë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka pasur edhe disa pyetje për anëtarët e Komisionit të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, pas prezantimit të raportit përfundimtar të punës së tyre.

“Sipas raportit tuaj, keni qenë në vizitë në Kroaci, fakti më interesant në Kroaci prej qershorit të këtij viti është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit e cila pas 7 vjetësh ka përcaktuar se kriteri i vetëm është kadastral, dhe jo topografik. Së dyti, tërë kohën keni përdorur argument hartografik, topografik, ma përmendni një kufi të ish-Jugosllavisë kur kanë përmendur argumentet topografike, nuk njoh ndonjë konventë ndërkombëtare ku kullotat dhe mirëmbajtja e rrugës përdoret si argument për shënjimin e vijës kufitare. Së treti, kur pashë hartën, prej pikës kufitare, trekëndëshi Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, përdoret argumenti kadastral, më pas përdoret kriteri hartografik, qysh mundet me një hartë të përdoren dy kritere të ndryshme për një kufi të vetëm? Dhe e fundit, meqë u përmend harta e viteve ‘45-‘46, kur ne kemi shënuar kufirin me Maqedoninë, kemi përdorur vijën kadastrale, dhe dokumentacionin gjeodezik, nëse i ikim këtij kriteri dhe dokumentacionit administrativ, çfarë pasoja mund të ketë në kufijtë e tjerë të Kosovës? Çfarë nënkupton kjo për situatën që mund ta kemi në të ardhmen?”, ka pyetur Hoxhaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Sabile Keçmezi-Basha Me rastin e dekorimit me urdhrin “Hero…