Hoxhaj: Kosova do ta ndihmojë Maqedoninë në përkthimin e legjislacionit në gjuhën shqipe

28 mars 2019 | 15:21

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar një delegacion nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Tahir Hani, si dhe Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zbatim të plotë të Ligjit për Gjuhët. Kosova do ta ndihmojë përgatitjen dhe përkthimin në gjuhën shqipe të legjislacionit atje.

“Jam shumë i lumtur që takova mysafirët nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Tahir Hanin dhe Ylber Selën, për të folur në lidhje me ndihmën dhe mbështetjen që Kosova do t’ia ofrojë Shkupit zyrtar në përkthimin e infrastrukturës ligjore në gjuhën shqipe, pas miratimit të Ligjit për Gjuhët, muaj më parë”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për shqiptarët miratimin e Ligjit për Gjuhët në Maqedoninë e Veriut, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se Kosova do të jetë në dispozicion për t’iu përgjigjur kërkesave të Shkupit për ta ndihmuar zbatimin e tij.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) kanë…