Hoxhaj: Kosova nuk do t’ia kthejë shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të emisarit amerikan, Gabriel Escobar në lidhje me Qeverinë Kurti.
Hoxhaj ka shkruar në “Facebook” se qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë Kurti.
“Fakti që vendimi për tokat e manastirit shkoi huq, tregon për një amatorizëm dhe një moskoordinim eklatant me aleatët shtetbërës të Republikës së Kosovës. Deklaratat e pamatura dje, sot morën një dush të ftohtë. Mosbesimi është thelluar aq shumë me aleatët, sa që diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe joefektive. Nuk po flitet më për njohje dhe anëtarësime në diplomaci me aleatët, po për dinarë e për kadastra! Kjo tregon që politika e jashtme është kthyer në ofiqari për dinarë e për kadastra”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se përgjegjësia e plotë i takon kësaj qeverie.
“Do mbesim pa aleatë me këtë ritëm të tmerrshëm të gabimeve! Por, Kosova nuk do t’ia kthej shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike”, ka shkruar Hoxhaj.