Hoxhaj: Kroacia, një prej vendeve mike më të mëdha të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot një delegacion nga Kroacia të udhëhequr nga ndihmësministri i Jashtëm, Miroslav Papa.
Hoxhaj dhe Papa në këtë takim kanë diskutuar për mbështetjen e Kroacisë në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata rajonale dhe procesin e eurointegrimeve.
Po ashtu në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin konkret në disa fusha, veçmas në atë ekonomike dhe tregtare.
Me këtë rast numri dy i Qeverisë ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fazat e shtetndërtimit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Kroacia është një prej vendeve mike më të mëdha të Kosovës në rajon. Mbështetja kroate ka qenë e vazhdueshme jo vetëm në aspektin bilateral, por edhe atë rajonal duke qenë edhe si vend anëtar i BE-së. Diskutuam sot për mundësitë e bashkëpunimit më të madh në fushën ekonomike dhe tregtare, meqë marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera. Muajt e fundit ka një dimension të ri në këto raporte dhe duam që Kroacia të ketë një përkushtim e rol edhe më të madh”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Ndër të tjera Hoxhaj ka theksuar se nevojën që BE-ja duhet të marrë një vendim sa më parë për vizat dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën e gjelbër për t’i hapur negociatat.
/Epoka e re/