Hoxhaj: Kryeministri Kurti s’ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka kritikuar qeverinë për gjendjen në arsim. Ai ka thënë se kryeministrit Albin Kurti nuk duhet të luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat, e as me opozitën.
“Jemi në shtator dhe i kemi 22 ditë humbje të mësimit. S’po flas sot si deputet, jemi prindër që kemi nxënës në shkolla publike dhe dimë sesa e dëmshme është humbja e këtyre javëve të para të vitit shkollor. Kryeministri Kurti ka thënë këtu në kuvend që arsimi është prioritet, fakti që nuk po ka vullnet që të kërkojë konsensus me sindikatën tregon goxha shumë ku jemi në shtatorin e vitit 2022. I bëj thirrje që të bisedoj me sindikatën dhe mësimdhënësit”, ka thënë Hoxhaj.
“Nuk e kemi ftuar këtë seancë për një grusht votash, por për faktin që është një gjendje alarmante dhe nuk dihet kur përfundon. E ftoj kryeministrin Kurti që s’ka nevojë ta luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat, as me opozitën, por ta kuptoj në thelb se si duket procesi demokratik. Nëse nuk dialogun me sindikatën, është politikë e nënshtrimit”, ka deklaruar Hoxhaj.