Hoxhaj: Kryetema e dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë si marrëveshje përfundimtare
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur rreth takimit që do të mbahet sot (e mërkurë) në Bruksel në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se askush nuk e di nëse delegacioni i Kosovës ka ndonjë platformë sa i përket dialogut.
Duke komentuar vendimin e qeverisë për targat, Hoxhaj ka thënë se Kosova mund të marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për situatën në veri të vendit dhe të përfitojë nga dialogu nëse e prezanton një platformë për dialog, ku sipas tij kryetema duhet të jetë njohja e ndërsjellë si marrëveshje përfundimtare.
“Jo më dialog teknik, por vetëm marrëveshje finale në mes të dy shteteve. Këtu varet se a ka qeveria vizion, vullnet dhe vendosmëri për këtë temë!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Mirëmëngjesi Kosovë!
Sot mbahet takimi në Bruksel dhe askush s’e di nëse delegacioni i Kosovës ka ndonjë platformë në letër!
Vendimi për targa është një veprim i drejtë, por është një vendim taktik që nuk mbështetet me një qasje strategjike të plotë sa i takon dialogut.
Së pari, me këtë veprim a do të zbatojë qeveria të gjitha marrëveshjet e nënshkruara apo vetëm këtë të lëvizjes së lirë? Rezultatet e dialogut nuk janë një lloj tryeze suedeze ku përzgjedhja për zbatim varet nga shijet indivduale dhe inspirimi i çastit.
Së dyti, Kosova mund të marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për situatën në veri të vendit dhe të përfitojë nga dialogu nëse e prezanton një platformë për dialog, ku kryetema është njohja e ndërsjellë si marrëveshje përfundimtare! Jo më dialog teknik, por vetëm marrëveshje finale në mes të dy shteteve. Këtu varet se a ka qeveria vizion, vullnet dhe vendosmëri për këtë temë!
Së treti, situata e re në pikat kufitare duhet të shoqërohet me krijimin e fakteve në terren dhe në diplomaci aktive për të siguruar mbështetje të shteteve vendimmarrëse në NATO dhe në BE.
Kjo mund të ndodhë vetëm duke komunikuar me këto shtete, duke i vizituar ato dhe duke ofruar vizion dhe qëndrim të shkruar! Politika e Jashtme nuk guxon të reduktohet në dialog dhe as dialogu vetëm në vendimin për targat!
Situata e re duhet të përdoret nesër dhe në të ardhmen për të krijuar momentum të ri për marrëveshje finale, sepse po shihet që status-quo është e paqëndrueshme, dhe se çdo krizë është mundësi e re nëse qasja është e ndërtuar me një veprim dhe mendim të plotë strategjik, përtej targave si veprim taktik!
Personalisht kam qenë dhe mbetem admirues i Policisë së Kosovës, e cila ka qenë dhe mbetet mbrojtësja më e mirë e sovranitetit dhe e integritetit tonë.
Por, tani është fjala e politikës së Jashtme që duhet të mbështesë sakrificën e policëve në terren që veprimet e tyre të jenë edhe veprime të partnerëve tanë.
Edhe para 10 vitesh, e kam parë dialogun si jetik për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Ashtu e shoh edhe sot!