Hoxhaj kujton ditën kur me Thaçin përmbyllën pavarësinë: Ku jemi sot?
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar një datë të rëndësishme për Kosovën, atë të fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, që ndodhi më 10 shtator të vitit 2012.
Në një postim në “Facebook”, Hoxhaj ka publikuar një fotografi të përbashkët me Hashim Thaçin, atëbotë kryeministër.
“Kjo datë, jo vetëm që ia ktheu popullit të Kosovës atë që i takon, qeverisje të plotë demokratike dhe një sovranitet të mirëfilltë…”, ka shkruar Hoxhaj.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Më 10 shtator 2012, Kosova hapi një kapitull të ri të shtetësisë së saj. Grupit Drejtues Ndërkombëtar vendosi për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, pasi ajo nga viti 2008 e deri në shtatorin e 2012, kishte përmbushur të gjitha obligimet e marra nga Pakoja e Ahtisaarit. Kjo datë shënon gjithashtu një fazë të re, sepse shteti ynë i ri u tregua këmbëngulës që të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i kishe ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila me këtë vendim edhe e përfundoi mandatin dhe mbylli misionin e saj në Kosovë! Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e negociatave të procesit të Ahtisaarit në vitet 2006-2007, por gjithashtu i përmbushjes së kritereve dhe obligimeve ndërkombëtare në mes të viteve 2008-2012.
Kjo datë, jo vetëm që ia ktheu popullit të Kosovës atë që i takon, qeverisje të plotë demokratike dhe një sovranitet të mirëfilltë, por hapi edhe një horizont të ri për vendin: Filloi të ushtrohej një politikë e jashtme më e pavarur, forcoi pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohje të reja dhe anëtarësi të shumta në organizata ndërkombëtare, por edhe ndërtoi një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare. Jam shumë krenar që si ministër i jashtëm kam koordinuar, me mandat të Kryeministrit Thaçi, procesin e përmbylljes së pavarësisë, duke vendosur themelet e politikës së jashtme!
Ku jemi sot? Shtatori i 2012 ishte ngjarje e pjekurisë so politike, por shtatori i 2024 është dëshmi e papjekurisë sonë politike. Në vend se të ndërtohet edhe më shumë identiteti kushtetues dhe shtetëror, Kosova është nën sanksione perëndimore dhe Kushtetuta shkelet çdo ditë. Në vend që të ndërtohen marrëdhënie edhe shumë më të mira me shtetet e rajonit, me aleatet e saj në Evropë, Amerikë dhe botë, Kosova ka mbetur pa aleatë, pa kredibiltet dhe mjerisht, nuk merret seriozisht! Në shtator rë vitit 2012 ishte shembull i zbatimit të obligimeve të marra nga partnerët e Kosovës, sot është shembull që gënjen dhe mashtron aleatët më strategjikë, ku qeverisja e saj mjerisht shihet njëjtë në Perëndim dhe në Lindje si grandavec, sherraxhi dhe zhurmaxhi!