Hoxhaj: Kurti po ndërton autonomi në veri të Kosovës
Nënkryetari i Kosovës, Enver Hoxhaj, në foltoren e Kuvendit në seancën raportuese të kryeministrit Kurti për marrëveshjen e Asociacionit, ka thënë se mesazhi që ka dhënë kryeministri është se do që ta mbajë të fshehtë marrëveshjen.
Hoxhaj ka thënë se Kurti i ka thënë “Po” një dokumenti panegocuar, pa përfitim për Kosovën dhe pa asnjë kusht.
Ai ka theksuar se debati rreth nënshkrimit apo mosnënshkrimit është për t’i ikur Gjykatës Kushtetuese.
“Mesazhi që morëm sot nga kryeministri Kurti është se e ka pranuar marrëveshjen dhe do ta mbajë të fshehtë. A e keni menduar ju ndonjëherë se Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte i parimeve dhe idealeve dhe tani përfundon në një situatë ku është i fshehtë, dinak, idhnak, manipulues dhe për t’ju vendosur hi syve qytetarëve të Kosovës. Këto janë taktika të manipulimit”.
“Nëse ky (Kurti) do të ishte burrështetas, sot do të thoshte ja e kam sjell draftin, shiheni draftin dhe lexojeni para se të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Do të duhej të thoshte se është i interesuar për konsensus të brendshëm politik, dhe me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se Kurti është duke ndërtuar autonomi në veri të Kosovës.
“Sot në Kuvend nuk e kemi vetëm një situatë të një mungese flagrante të transparencës që nuk e dimë se çfarë ka pranuar. Sot e kemi një situatë të një mungese flagrante të përgjegjësisë publike për fjalën e dhënë dhe për veprat e bëra. Na shpjego kryeministër, se ju thatë që nuk është ‘Zajednicë’. Tash na trego a është autonomi, ajo që e ke nënshkruar?”.
“Albin Kurti e ka përmbysë Ahtisarin në veri dhe tani mbi përmbysjen po e ndërton një autonomi. Sa t’i besojnë qytetarët e Kosovës fantazive politike të Albin Kurtit, ne do të flasim edhe më 2030 për temat e njëjta”, është shprehur Hoxhaj.