Hoxhaj: Mbledhja e thirrur në OKB për Kosovën, pasojë e politikës së gabuar të qeverisë Kurti
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur për Kosovën, duke thënë se politika e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që fuqitë botërore si ShBA-ja, Britania dhe Franca të pajtohen me kundërshtarët e tyre Rusinë dhe Kinën, që të thirret mbledhja për Kosovën e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia.
Hoxhaj në “Facebook”, ka shkruar se kjo tregon se sa keq qëndron Republika e Kosovës ndërkombëtarisht, si një vend pa drejtim dhe pa orientim.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si ShBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar Hoxhaj.