Hoxhaj me delegacionin britanik: Kornizë kohore për dialogun dhe njohje reciproke në marrëveshje finale
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim shefin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Andrew Page, si dhe Susan Laffey, zyrtare e lartë e Sektorit të Analizës në Zyrën për punë të jashtme.
Në këtë takim u diskutua rreth temave aktuale politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë, por theks i veçantë iu dha dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale me njohje reciproke.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, potencoi se dialogu me Serbinë është temë shumë e rëndësishme për Qeverinë e Kosovës dhe se ka përkushtim që të arrihet marrëveshje finale me njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB.
Hoxhaj ka thënë se dialogut i duhet qartësi dhe një kornizë kohore për arritje të marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj dhe Page u pajtuan se mbështetja e aleatëve perëndimorë në dialog me Serbinë, është tejet e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
/Epoka e re/